ARTAN FUGA/ Gjithmonë më ka pëlqyer në Pogradec fakti që qyteti ka qenë disi si i fshehur mes pemëve dhe luleve.

Edhe në kohë me diell, por edhe kur shkreptin aq fort sa në Pogradec, në ditë me re dhe me vranësira, qyteti i ngjan një bukurosheje që ka ndrojtje të tregojë hiret e veta.

PAMJE NGA LIQENI I PRESPES

PAMJE NGA LIQENI I PRESPES

Kjo edhe të gabon. Sapo marr vesh që restoranti “Dashnorja e Fundit” aty në Tushemisht vazhdon të funksionojë. E kisha pasur një përshtypje të rremë, kur më ishte dukur si i mbyllur. Hidhem nga gëzimi kur marr vesh se ai pret e përcjell sot e mot klientët e tij. “Më prisni – u them – sepse darka e parë që do të ha në restorant, kur të kthehem në Pogradec do të jetë te ju, të provoj gjellët tuaja të shijshme sikurse më japin opinionin pozitiv bashkëbiseduesit e mi”.

Më japin premtimin që kur të jem atje, do të më shpjegojnë edhe etimologjinë e emrit që mban restoranti. Ia vlen!

Prej vitesh, hyrja e Pogradecit ka qenë edhe ajo një kontrast i gjallë misterioz. Në hyrje të qytetit ka pasur një bunker i stërmadh, i ndodhur aty që nga koha e luftës. Jo nga këta bunkerët që i quanim “breshka”. Një i vërtetë. Duhet të kaloje pranë atij bunkeri, që të jepte përshtypjen se po futeshe në një perandori më vete, për të shijuar pastaj vlerat e qytetit. Ai qytet paqësor niste me një bunker. Paradokse të mëdha na rezervon jeta.

Nuk e shoh më. Por qyteti ka nevojë të zhbunkerizohet në kuptimin e strategjive për administrimin e territoreve.

Nga punimet në rrugën hyrëse në Pogradec

Nga punimet në rrugën hyrëse në Pogradec

Pogradeci mund ta ftojë pushuesin të hapet dhe vizitojë të gjithë zonën përqark. Turizmi i qytetit ka vend të shtrihet në të gjithë zonën, e cila ka potenciale ekonomike të jashtëzakonshme. Pogradeci nuk mund të bëjë më tutje nëse nuk thyen bunkerizimin e tij. Kjo duket qartë kur bën vëzhgime sesi qyteti është mbyllur në disa rrathë, që e pengojnë të zhvillohet më tej.

Duke pirë një gotë rakie rrushi perla, bashkëbiseduesi më thotë : “E na luftojnë ne pogradecarëve, o presor! E sheh se çfarë bëjnë mediat, raportojnë vetëm ndonjë ndodhi apo vetëm anët tona negative! Lëri rrjetet sociale, na mbytën me vlerësime negative. Kurse sa për financimet dhe investimet, Nikua i çoi të gjitha në Korçë”!

Ndonëse e kuptova fare mirë atë, dëshirova ta ripyes: “Cili Niko mor burrë?”

“Ish-zëvendëskryeministri o derëbardhë, nuk e ke parë çfarë dallimesh ka midis investimeve publike në Korçë dhe atyre në Pogradec?”

1

“Mos u merr kot me thashetheme, or mik!”, i them, thjesht sa për ta ndryshuar muhabetin! Kur je me pushime, nuk ke dëshirë të merresh me investigime. Të arrish në të tilla përfundime duhet të kesh të dhëna të sakta statistikore. Çfarë ka marrë Korça në këtë dhjetëvjeçar nga buxheti i shtetit dhe çfarë ka marrë Pogradeci? Kjo do ta davariste situatën. Do ta sqaroj më vonë këtë gjë, – them me vete.

Miqtë e mi të huaj nuk janë fare si unë. Zevzekë! Nuk u mjafton bukuria, dielli dhe uji i gjolit. Duan të shëtisin përtej kufijve të qytetit. Mua më pëlqen të fle në buzë gjolit në një shezlong të rehatshëm, në një çadër dielli, që e paguaj 300 lekë një e hapur, por ata i duan të gjitha. I çoj me veturë në Lin, fshati që shtrihet buzë liqenit, në një si gadishull, dhe që dallohet i pari sapo zbret poshtë Qafë Thanës. Më ka tërhequr gjithmonë ai fshat. Mozaikët e vjetër kristianë atje, përherë më kanë intriguar. Nuk e di përse. Kam dashur madje të kem mundësinë përkohësisht të jetoj atje. Futemi në fshat.

Rrugët përsëri për turp të Zotit. Te sheshi i fshatit, një rrethqarkullim i vogël. Anash sheshit, parkuar vetura. Në klub ka pak njerëz. Pasi marrim diçka, dalim nëpër fshat. Ka mbetur disi prapa kohës ai fshat, që përpara, ta zëmë, disa shekujsh, duket se jo vetëm ka qenë strategjik, por edhe i fisëm. U ngjan fshatrave mesjetarë në Europë. Nuk pyes dot kënd se kur janë ndërtuar shtëpitë që shoh atje. Nuk ka asnjë pllakë nëpër të gjithë zonën për të treguar historikun e fshatrave, zonave, monumenteve, vendeve të kultit etj. Është e pakuptueshme se për çfarë arsye ia fshehin historinë e trevës syrit të vizitorit.

Shtëpitë, në shumë syresh janë dykatëshe. Rrallë prej tyre kanë pasur fatin ta rinovojnë fasadën. Të tjerat rënkojnë nga pesha e kohës. Burra dhe gra të moshuara janë ulur në sofatet e portave të shtëpive. Shtyjnë kohën. Ndërtesa e kishës së fshatit është më e mirëmbajtura. Zoti e ka ndihur!

Vështirë të gjesh pa u lodhur diçka që të tërheqë vëmendjen në Lin. Por, nuk është fare ashtu. Fshati ka një urbanizim të vjetër shumë logjik. Nga rruga kryesore që e tejshkon, zbresin rrugica të ngushta që zbresin në liqen. Në të dyja anët e këtyre shtigjeve, që nuk janë më shumë se nja dy a tri metra largësi nga njeri tjetri, ka banesa të vjetra. Atje, në fund të çdo korridori urban duket liqeni dhe varka të parkuara në të. Duket tipike si një urbanistikë mesjetare. Rrugë të ngushta për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm i jashtëm. Ndërtuar sipas parimit të panoptikonit fshati Lin. Në formën e një “rrethi” me rreze që zbresin në liqen. Gjithçka e kontrollon syri. Shtëpitë ballëpërballë njëra-tjetrës, pa shumë distancë mes tyre. Tregon se kultura e fshatit ka qenë sipas modelit introverti. Solidaritet i madh, saqë pa zbritur në rrugë, duket sikur nga dritarja në dritare kanë dashur t’i japin dorën njëri-tjetrit.

Urbanizim i menduar. Paska pasur urbanistë të zotë në atë kohë. Nuk paskan ndërtuar kuturu. Fshati ka qenë konceptuar si vend banimi, fortesë, vend lidhjeje sociale, pikë stacionimi për flotiljen e varkave për peshkim. Kur do ta studiojmë kulturën urbanistike të trashëguar nga e kaluara në zonat tona rurale? Të kuptojmë çfarë logjike menaxhimi të hapësirave të banuara kanë pasur të parët tanë. Kërkoj me sy të shqyer nga padurimi ndonjë pllakë me informacione, por nuk është e mundur ta gjesh.

Banorët na shohin me habi që kalojmë në ato rrugë të ngushta. Duket se askush nuk vjen t’i vizitojë.

“E çfarë do të bëje këtu, kur thua se ke dashur të kesh një banesë në këtë fshat?”, më pyet miku im.

“Të ngrija një rreth mendimi filozofik!”, i përgjigjem jo vetëm me të qeshur. “Kjo perlë urbanizimi, e kthyer thuajse në rrënojë, mund të gjallërohet, po të kishte investime”.

Por, Pogradeci nuk u afrohet këtyre zonave. Është i bunkerizuar, pra i mbyllur brenda tre rrathëve që e përmbyllin brenda vetes.

I pari është ai që lidhet me rrugën kryesore të qytetit, ato 500 metrat e famshme nga ndërtesa “Kapri”, deri te rezidencat qeveritare; I dyti lidhet me mbylljen e qytetit karshi periferive të tija rurale. Asnjë zgjatim turistik të rëndësishëm nuk ka midis Pogradecit dhe Mokrrës, Linit, Prespës etj.; I treti, ka të bëjë me faktin se gjithçka turistike vlon thuajse vetëm në harkun e bregut të gjolit, që korrespondon me qytetin e vjetër, më tej pothuajse ka vetëm gjëra sporadike që gëlojnë e pluskojnë shumë zbehtë.

Pse është mbyllur qyteti i Pogradecit te këta tre rrathë, ndërkohë që është e qartë se potencialet e tij janë shumë më të gjera dhe të shtrira përtej hapësirave të kufizuara të tanishme?

Hamendjet gëlojnë nëpër qytet.

Kërkoj të shkoj një vizitë në Prespë. Jo vetëm për të parë liqenet e zonës, as thjesht sepse kam kujtime nga fëmijëria e hershme, por edhe për të takuar sadopak njerëz nga minoriteti maqedonas, që jeton aty dhe që e flet shqipen me një saktësi të pashoqe dhe në mënyrë fonetike të përkryer.

Prespa të pret me një shkëlqim të paparë. Një park kombëtar natyror gjigant. Me shumë specie kafshësh, peshqish, gjallesash amfibe, por është e pamundur që të gjesh në hapësirat e hapura ndonjë informacion mbi to. Nuk gjeta madje, asnjë për be, ndonjë mundësi për të pasur ndonjë shoqërues ose rrëfyes, qoftë edhe kundrejt pagesës a ndonjë bilete për të më drejtuar e më njohur me pasuritë e tij.

Eksploroj vetë kuturu. Herë pas here orientohem nga Wikipedia.

Loading...

Nganjëherë të krijohet përshtypja se je diku andej nga Butrinti. Po ajo mpleksje e malit me ujin, po ajo e ndërfutje dashurie midis tokës dhe ujit. Ishulli që shoh mes liqenit është si një nishan i bukur, që zbukuron faqen e argjendtë të ujit. Marr rrugën që çon në breg të liqenit, me shpresë se në lokalin e ndërtuar atje do të kem mundësi të ha një drekë të mirë e të shijshme. Shpresë e kotë, sepse restoranti është i mbyllur. Porta kryesore prej hekuri e oborrit është e mbyllur me një dry të ndryshkur, që t’i shuan të gjitha shpresat. Matanë, rrëzë kodrave mbuluar me gjelbërim, si vende perëndish, shtrihen plazhe të ngushta, të virgjëra. Asnjë këmbë njeriu andej. Asnjë infrastrukturë hotelerie ose tjetër.

Mbi ujin e qetë dhe të pastër blu, një gomone me motor të fuqishëm. Drejtuesi sheh nga ne që andej. Kur dallon se nuk kemi ndërmend t’i kërkojmë të na bëjë një shëtitje në liqen, kris e ikën në punë të tij. E ndjek me sy nga larg. Shkon në mes të liqenit, në breg të ishullit liqenor dhe aty ndalon. Shtrihet në gomonen e tij dhe qëndron në një qetësi hyjnore. Shyqyr që minoritarët janë shumë të sjellshëm. Pa pyetur ata, vështirë se e gjen dot rrugën e kthimit për në Pogradec. Lëre pastaj të kuptosh vetë se ku ndodhet ndonjë hotel ose restorant tjetër. Ata na tregojnë rrugën që merr teposhtë për të shkuar te një lokal në natyrë, i rregulluar bukur dhe me shije si brenda ashtu edhe jashtë.

Mbahet nga dy djem të rinj që kanë mbaruar studimet master në Universitetin e Tiranës. Një lloj solidariteti krijohet midis nesh. Por, miqësia miqësi, paraja të shkojë e të vijë’. Sigurisht.

“Çfarë do të hamë?”

“Këtu njerëzit vijnë për të shijuar tavën e peshkut”.

Kujtohem se për herë të fundit e kam shijuar përpara nja pesëdhjetë vjetësh. Pak më tutje nga vendi ku ndodhem tani. Dhe kjo e tanishmja është po aq e shijshme si ajo para gjysmë shekulli. Ngjyej me bukë fshati lëngun e qepëve në tavën e koranit dhe më shijon aq shumë në atë restorant, që shtrihet në një kopsht të rregulluar për bukuri. Më tej festohet një datëlindje e një fëmije. Familjarët na sjellin edhe ne, që nuk na njohin, disa pjesë torte që sapo kanë prerë. Edhe njëqind dhe me fat vajza!

Zbresim buzë liqenit. Kodrat janë të mbuluara me bimësi. Nuk e di se përse gjithçka e natyrës atje është në një paqe me veten. Ke dëshirë gjithçka ta rrokësh me një përqafim. Të shkrihesh me natyrën. Të vdesësh! Gjithçka e përkryer. Ja ku është miniera e floririt në natyrë! – them me vete. Habitesh sesi mund të ketë natyrë të virgjër kaq pranë qendrave të banuara si Pogradeci dhe Korça.

Ca turistë të huaj me çanta në shpinë ndeshim aty këtu në rrugë. Ndonjë veturë. Pothuajse pa njerëz e gjithë zona. Rri edhe mendon: Si është e mundur që në Pogradec nuk ka një stacion autobusi, nga ku ndonjë agjenci udhëtimi të propozojë një ekskursion turistik njëditor në Prespë. Të bësh plazh atje është thjesht një magji. Pastaj arsyeja më ndërhyn: Po të bëhej kjo, restoranteve pogradecare si edhe hoteleve do t’u hiqej një pjesë e klientelës ditore! Ky supozim, i drejtë apo i gabuar, hëpërhë më mjafton.

Pothuajse asnjë investim nuk duket i realizuar rishtazi në Prespë nga pushteti i saj vendor ose qendror për të zhvilluar turizmin. Si Korça ashtu edhe Pogradeci, të lënë të kuptosh se nuk kanë shumë qejf ta zgjojnë oreksin e banorëve të Prespës! Çfarë potenciali i madh i shkuar kot! Mund të punësoheshin qindra vetë, të mblidheshin taksa, të vinin mijëra turistë. Imagjinoj që në ato liqene në mbi 800 metra mbi nivelin e detit, rrethuar me male që shkojnë deri në 2000 metra lartësi, të kishte dhjetëra ura që lidhnin brigjet me njeri-tjetrin, vila, hotele, resorte turistike që do ta kthenin të gjithë atë zonë në një nga perlat e Europës.

Shpejt kthehem në tokë. Në kishën e Liqenasit po bëhen përgatitjet për një ceremoni dasme. Dikush nga ne thotë se ai njeriu me motobarkë që shëtit në liqen dhe ka ndaluar afër ishullit në mes të liqenit, është dhëndri që po gëzon orët e tij të fundit të një lirie çapkëne.

Ne qeshim.

Pogradeci është disi i mbyllur ndaj periferive të tij. Kjo e dëmton shumë ekonominë dhe imazhin e tij si qendër me vlera turistike të pashoqe. Në fakt, një gjë e tillë ka të bëjë me reformën e pushtetit lokal dhe të territorit. Tanimë në të gjitha qytetet, por në disa si Pogradeci veçanërisht, bashkitë mbledhin taksa nga e gjithë zona dhe investimet i kryejnë veçanërisht në sheshin e qytetit, ose në bulevardin kryesor të tij. Shihni Tiranën dhe do të bindeni qartë.

Pogradeci është qytet turistik vetëm në 500 metra bulevard, përtej saj, anash saj, matanë saj është thjesht një gërmadhë e lënë pas dore, sikurse janë kudo qytete që u është mbyllur miniera e dikurshme ose uzina e përpunimit të minerale që kanë pasur.

Reforma e territorit ka sjellë si pasojë përqendrimin e investimeve bashkiake në qendër dhe braktisjen e periferisë të afërt urbane dhe sidomos ka sjellë ndërprerjen e proceseve të urbanizimit të zonës rurale. Dihet se përse ndodh. Këshilltarët bashkiakë, pavarësisht ngjyrave të tyre politike, qofshin ata të kuq, mavi, blu, jeshilë, të bardhë apo pa asnjë ngjyrë, apo me ngjyra të dala boje, janë përgjithësisht nga qyteti. Fshati ka mbetur krejtësisht i papërfaqësuar në pushtetin lokal, që e kanë shtënë ngado “ujqit urbanë”.

Rrugët periferike të Durrësit të kallin datën. Në Tiranë po ashtu. Kurse në Pogradec duhet të matesh mirë të dalësh nga qendra e qytetit.

Kjo sjell si pasojë që qyteti po mbytet ekonomikisht, po i merret fryma financiarisht. Pse? Sepse në atë rrugën prej 500 metrash në qendër, tiranasit kanë blerë apartamente. Pasi investuan një herë, tani për hotele dhe banim nuk harxhojnë më. Nuk janë më turistë, janë familjarë që harxhojnë me llogari. Nuk e derdhin lekun varda sikurse do të bënin turistët e vërtetë. Qyteti gjatë verës mbipopullohet, por sociologjia e të ardhurve të përkohshëm është jo e tillë sikurse do të pritej për të arritur optimume financiare sikurse pritet. Por, për këtë do të flasin më tej.

Kjo është arsyeja që pjatat e gjellëve në restorante pas porosive vijnë të tejmbushura. Hoteleritë dhe restorantet mbajnë çmime të lira pak a shumë dhe duan ta nxjerrin lekun duke rritur sasinë e ushqimit në çdo pjatë. Nuk është mirë fare për shëndetin.

Për të kënaqur miqtë e huaj nisem për në Prespë. Me të pyetur, se asnjë tabelë nuk të tregon saktësisht një informacion të mjaftueshëm për një turist.

Liqeni i Pogradecit është një i tërë. Natyralisht i pandarë. Pavarësisht që ne këtej e thërrasim liqeni i Pogradecit, kurse maqedonasit përkarshi e quajnë liqeni i Ohrit. Por, midis Ohrit dhe Pogradecit nuk duket se ka shumë lidhje që të realizohen nëpërmjet liqenit. Mesa pamë, të vetmit që të propozojnë një udhëtim në gjol me mjet lundrues janë të zotët e restorant “Te Koçua”. E kanë si model biznesi. Po hëngre drekën tek ata, shëtitja është falas me ato varka të vogla me nga një tendë përsipër që vozisin shtyrë nga motorë të vegjël uji. Po qe se dëshiron vetëm një xhiro deri aty poshtë Doganës, paguan sipas minutave që qëndron në varkë. Drejtuesi i saj, një djalë nga një fshat aty, më thotë se mundet që edhe të hahet dreka në varkë nëse ia gjeni lezetin.

Sa bukur do të ishte që me një anije të bukur e të rehatshme të kishte si propozim një udhëtim turistik që të nisej nga Pogradeci, të kalonte në Tushemisht, që andej në Shën Naum e më tutje në Strugë, më tej në Ohër e kthim duke bërë një ndalesë, ma do shpirti, edhe në Lin. Të bashkoheshin në një banjat e ujit e të diellit, vizitat e monumenteve turistike e historike të zonës, të qyteteve dhe zonave të ndryshme. Kisha, kala, mozaikë, tregje tradicionalë, burime lumenjsh, gjithçka që ia vlen ta shohësh. Të shfrytëzoheshin të gjitha mundësitë që jep zona në të dy anët e kufirit.

Kujdes mos rrëzohesh! – më thotë një zë nga brenda, ndërsa jam duke ecur mbi zallin e bregut të gjolit.

Mokra dhe malësitë e saj mbeten larg për vizitorin e Pogradecit, a thua se janë një planet tjetër. Më kujtohet se dikur atje kam shijuar me miq qengjin në hell, në një livadh mes pyjesh me pemë të larta. Ishte një ajër i freskët dhe një bukuri përrallore. Shoh në qytet se si mund të shkohet, çfarë mund të vizitohet në Mokër, si mund të shihet një pjesë e rrugës Egnatia, por është e kotë.

Qyteti e ka hequr bunkerin te hyrja, por është ende i mbyllur në vetvete si në një lloj bunkeri imagjinar, me marrëdhënie shumë të zbehta me zonat përreth.

Vijon 

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.