Apeli lë në burg gjyqtarin Shkëlqim Mirin, ja ç’nxori ekzaminimi për tumorin në kokë

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka rrëzuar kërkesën e avokatit mbrojtës të gjyqtarit Shkëlqim Miri, për ndryshim mase sigurie.

Seanca është zhvilluar ditën e djeshme me dyer të mbyllura. Avokati i Shkëlqim Mirit ka kërkuar masë më të lehtë sigurimi, pasi klienti i tij vuan nga një tumor në kokë, që i rrezikon jetën nëse qëndron në paraburgim.

Por Apeli e ka rrëzuar kërkesën e avokatit Ardian Visha, duke u bazuar në ekspertizën mjekoligjore për sëmundjen e Mirit. Sipas ekspertëve mjekoligjorë, gjyqtari i akuzuar për korrupsion, vërtet vuan nga një tumor në kokë, por qëndrimi në paraburgim nuk i rrezikon jetën.

Për këtë arsye, edhe Apeli i Krimeve të Rënda ka vendosur si Shkalla e Parë, duke mos e ndryshuar masën e sigurisë për Mirin deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë, “Panorama” më- son edhe detaje në lidhje me sëmundjen e gjyqtarit të Apelit të Tiranës. Sipas ekspertizës mjekoligjore, gjyqtari vuan nga një tumor në kokë, i quajtur adenoma e hipofizës.

Po kështu, sipas ekspertizës, tumori është beninj, por megjithatë, ndikon në çrregullimin e metabolizmit të gjyqtarit Miri. “Shtetasi i paraburgosur, Shkëlqim Miri, referuar ekzaminimit objektiv, ekzaminimeve me rezonancë magnetike, imazherike, ekografike, konsultave me mjekë specialistë të fushave të ndryshme, është diagnostikuar me sëmundjen “adenoma e hipofizës” (tumor me natyrë beninje, lokalizuar në anën e djathtë të gjëndrës së hipofizës)”, shkruan ekspertiza.

Loading...

Po sipas saj, tumori krijon hipertension arterial dhe probleme të tjera me metabolizmin. “Gjendja aktuale shëndetësore e shtetasit të paraburgosur nga ana klinike nuk vlerësohet si e rëndë apo veçanërisht e rëndë, prandaj trajtimi i tij mund të realizohet në Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) ose në rast nevoje, në Institutin e Kujdesit të Veçantë shëndetësor të të burgosurve, apo nga Shërbimet e Specializuara Spitalore të vendit”, shkruan raporti.

“Referuar gjendjes shëndetësore aktuale të kërkuesit Shkëlqim Miri, qëndrimi në kushtet e paraburgimit nuk paraqet dhe nuk vë në rrezik serioz jetën e tij, nëse nga ana e tij apo e strukturave përgjegjëse të IEVP-së, i mundësohen realizimi i trajtimit mjekësor dhe plotësimi i rekomandimeve të bëra nga mjekët specialistë”, përfundon raporti mjekoligjor.

Gjyqtari Shkëlqim Miri e kaloi në paraburgim natën e ndërrimit të viteve, pasi nuk iu ndryshua masa e sigurisë as në seancën e datës 29 dhjetor 2017. Ai u arrestua pas një skandali korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Miri akuzohet se ka marrë 30 mijë euro në këmbim të votës pro lënies në fuqi të një vendimi që i rikualifikonte veprën penale një të dënuari për vrasje, konkretisht shtetasit Gentian Doda.

Ky i fundit, ishte dënuar me vrasje në mungesë, por pas ekstradimit nga SHBA-të, iu rishqyrtua çështja dhe në përfundim u dënua për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje me pasojë vdekjen”. Gjatë kontrolleve në banesën e gjyqtarit Miri, u gjetën edhe 330 milionë lekë të vjetra të padeklaruara.

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.