Analiza/Turizëm, vetting dhe ëndrra me shtator!

Nga Alfred Peza 

Kemi hyrë në gusht, në muajin e pushimeve zyrtare të shumëkujt por sidomos atyre që punojnë në administratën qëndrore e lokale të shtetit e pushtetit dhe që në ditët e para, ndihet sforcimi i klasës politike, për tu shtirur sikur janë në punë, në Tiranë. Ndryshe nga pak vite më parë, sot shumica e liderëve politikë, drejtuesve të shtetit, qeverisë dhe bashkive e kanë më të thjeshtë që të jenë prezent e të përthithen nga mediat e zhuritura për lajme, edhe sikur të jenë duke pushuar në fund të botës. Janë pikërisht momente si këto, kur gjithkush prej tyre bekon rrjetet socile që ekzistojnë, sepse pa to, protagonistët e jetës publike, nuk do të ekzistonin gjatë këtyre 31 ditëve.

Ndaj, edhe kur bëjnë sikur grinden me njëri tjetrin me anë të postimeve në internet, edhe kur bëjnë sikur nuk e shohin se çfarë ka publikuar kundërshtari, edhe kur hedhin foto, minivideo apo bëjnë sikur inspektojnë punëra publike nëpër zonat tursitike, thjeshtë duhet të dini se janë për qejfin e tyre në ndonjë plazh dhe jo për hallin e atyre që i adresohen.

Edhe kur japin intervista, dekretojnë ligje, debatojnë për nisma dhe grinden për politikën e madhe, është gati e sigurtë që janë në ndonjë shtëpi pushimi, hotel, buzë ndonjë pishine, plazhi a jahti dhe me siguri një buzëqeshje triumfaliste ia përshkron lëkurët gjithnjë e më të zeshkëta, që bëjnë kontrast edhe më të madh me dhëmbët e bardhë që shkëlqejnë taze, për shkak të efekteve të diellit përvëlues.

Eshtë buzëqeshja e dikujt që mendon: O ç’ju gënjeva! Po kjo ishte loja, moreee…!

Nuk ka asgjë për tu çuditur në gjithë këtë shfaqje me maska virtuale, për aq kohë sa jetojmë në realitetin e botës së teknologjive digjitale. Edhe Presidenti Amerikan, edhe shumë homologë të tij kudo, po qeverisin botën nëpërmjet cicërimave të twitterit, ndaj nuk kemi pse të habitemi që udhëheqësit tanë i imitojnë, anipse dikush me sukses e dikush jo. E rëndësishme është që ata të jenë prezent për votuesit, me konsumatorët e uritur të politikës, me mediat, me popullin opozitar dhe me të gjithë ata që kërkojnë të përfaqësojnë.

Nëse do të veçonim tri pika mbi të cilat duket se po ngrihet realiteti i jetës sonë këto ditë gushti, ato mund të jenë: Turizmi, vettingu dhë ëndrrat me shtator.

Turizmi është një industri që ka përfshirë në vorbullën e vet gjithnjë e më gjigande në Shqipëri, të gjithë ata që kanë investuar dhe jetojnë me këtë sektor, direkt ose indirekt. Sikundër turizmi është edhe shtjella e dalldisë kolektivë që ka përfshirë shumicën e popullsisë, që nxiton sa në jug e në veri, sa në bregdet a në mal, sa në zonat urbane dhe ato të thella malore, për të kaluar disa ditë ndryshe, duke iu dorëzuar pa kushte krahëve të padukshëm të pushimeve dhe argëtimit. Një industri që ushqehet gjithnjë e më tepër, jo vetëm me turistë të brendshëm, por me të huaj që duket se e kanë zbuluar më në fund edhe Shqipërinë dhe të gjitha çuditë, normalitetet dhe magjitë e vogla të saj.

E vetmja makineri që punon me kapacitet të plotë këto ditë në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë, duket se është ajo e procesit të vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Një proces që nuk do të ndalet deri më 31 gusht e në vijim, derisa të kalojë në filtrin e kontrollit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit të 800 anëtarët e sistemit të vjetër, që kërkojnë të jenë pjesë e sistemit të ri të drejtësisë.

Ndërkohë që gjithëkush që është i interesuar shuan kureshtjen sa herë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) shkarkon ose konfirmon një gjyqtar apo prokuror në detyrë, vëmendja është gjetkë. Eshtë diku tjetër. Eshtë tek ajo që do ndodhi një ditë më pas. Eshte në shtator e tutje. Sepse gjithkush do ta rifillojë jetën atje ku e ndërpreu përpara se të shkojë me pushime këto ditë. Tek ndryshimet ose jo në qeveri. Tek prishja ose jo e godinës së Teatrit Kombëtar. Tek fillimi ose jo i procesit të zgjedhjeve të reja brenda strukturave të PD. Tek hallet e vjetra të opozitës së re. Tek arritja ose jo e marrëveshjes së Shqipërisë me Greqinë. Tek rikthimi i ligjit për lojërat e fatit në Parlament. Tek rifillimi i vitit të ri politik, shkollor, mediatik, sportiv, kulturore, etj, etj.

Deri atëherë, gëzojuni këtyre ditëve të pushimit, sikur shtatori të mos ekzistojë. Gjithësesi, se i hidhni një sy rrjeteve sociale herë pas here, nuk bëni keq. Sepse shqiptarët ia bëjnë si ia bëjnë edhe pa drita e ujë kur ndërpriten gjithnjë e më rrallë ndonjëherë, por tek facebooku e instagram mos i luaj, se veç aty dhe pa ato nuk durojnë dot. Ndaj…: Pushime të mbara!

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.