Analiza satirike/ “Milet i madh te Kryeministria, hajde petulla dhe bakllava ke Rama “

AGRON GJEKMARKAJ gjekmarkaj

Lasgushi”, shtërgu i fundit madhështor me shpirt të gjorë rri nën një hangar të Anadollit tek e bren shiu, bora, akulli e serotina! Balona e “Airalbania”-s kaq e pat! U bë festë e madhe. Kryeministri mblodhi njerëzinë, gazetarë, vajza e djem plot nur dhe me të madhe, ashtu siç di ai, me ngjyra kuq e zi shpalli faqe botës së etur për lajme kompaninë e parë shqiptare të aviacionit civil me kumbar Turqeninë! Bah! Nuk vajti mbroth as ajo e as Aeroporti i Vlorës! U shuan pa filluar si flakë kashte! Të paktën, nëse aeroplani pagëzohej me emrin Shefqet apo Xhevahir, hajde de, mund të rrinte në liman jullaret e Anadollit, po Lasgushi ngjan me Moisi Golemin, që e rropën të gjallë çdo ditë e nga pak! Kohë nallane! Amerika shpalli se 170 zyrtarë bashkë me familjarët e tyre nuk do shkelin më në atë tokë për llojlloj gjëmash, që i kanë punuar vendit të tyre! Çudi! Damian Gjiknuri e Fatmir Mediu sapo shëtitën asaj ane si levendë për të hequr stresin e këtyre ditëve plot angështi e pikëllim.

Shqipëria nuk është më ajo që ka qenë! Si mos o Zot, më keq është përkulur mbi hallet e veta e rënkon si dikur foka në Tale! Një arsye e ka! Mirela Kumbaro nuk është më ministre! Kultura vojt, e pat, u shkri, e hangri i madhi dreq! Ajo humbi pallën dhe mburojën si arbrit Gjergjin në motin 1468. Lavdia e saj s’ka nevojë për asgjë, e jona boll për të aq sa nuk thuhet! Të lind ky konstatim tek e sheh në Komisionin e Kulturës, duke gjykuar pedagogë e studentë që po i bëjnë gjëmën vatanit! Të krisurit, nopranët e kanë plakur Edi Ramën me 20 vjet! I është thinjur mjekra, i janë shtuar rrudhat, flokët po i shogen, ndaj të vetët po përpiqen t’i kthejnë rininë e humbur zgëqeve plot jerm të politikës! Seniliteti e ka shtyrë të flasë gjuhën mors në Parlament me Edi Palokën, ku një llapë e nxjerrë jashtë lëmon një thththththth të tejzgjatur! Ne të dinim bilbil, po paske qenë xhahil e katil, o Kryeministri ynë! Ktheja Kumbaros shikimin, për atë politik e kemi llafin, në këto ditë gri të këtij dimri. E ke lënë kulturën jetime si borëbardhë, që nuk po gjen princ as xhuxha, përveç atij të Durrësit!

Më modesti i botës sonë, i miri dhe i dashuri si ai, fjalëmbli Musa Ulqini pa asnjë faj si dikur Kadareja i madh e unë njeriu modest e shpesh meskin, u magjeps si para këngës së zogjve krejt si Shën Francesku përballë ministrit te Brendshëm!

Me të drejtë! Ta dinë hallin e ta kanë parë plagën! Melhemi veç një është në këto raste! Policinë e çuan në Universitet dhe siç e tha Salianji, këtë s’e ka bërë as Hekuran Isai! Të drejtë kishte evlati! E sikur të mos mjaftonte kjo, përsëri e përsëri në atë hon të ferrit që thirret Filologjik ia behën përsëri zaptiet! Me të drejtë ministri i shpie atje! Aty një grup pedagogësh, që u ka hyrë vetja në qejf se dikur paskëshin studiuar universiteteve të Europës, me drejtues doktoraturash si profesori francez Balle (e ç’është Balle para Kryeministrit tonë? Një pesë me hic? Ka muhabet ai direkt me Niçen? Nuk ka!!), e sy për sy e dhëmb për dhëmb kapen me Edi Ramën pa frikë, pa një pa dy, si të ishte ai një jeniçer i rëndomtë e jo vetë Skënderbeu zulmëmadh! U ka marrë koka erë! Ndaj Policia hyri brenda, po iku teksa i ndiqte Mark Marku me një libër në dorë, që mos i bëftë dritë shpirti, se u shkaktoi alergji, teshtima e lebeti! Aty ministri kishte ca miq dikur, që duheshin shkuar në hell për të të kthyer qetësinë! Ata birbo, në një kohë kur njerëzia pyeste kush është ky që më vonë do bëhej vezir i Punëve të Brendshme, pa një pa dy, thoshin, mos u druani e njohim ne, është evlija burrë! Por s’i kishin bërë mirë llogaritë me zellin e të konvertuarit! E meritonin një qortim policor! Ata kanë mërzitur vetë Edi Ramën, meritojnë luftë klasash në gëzim e fatkeqësi!

Javë e ngarkuar qe! Ta ketë marrë vesh Kryeministri çfarë ndodhi në Kavajë? Maskarallëk i madh qe! Kujë e tmerr, gjëmë e vaj! Po fajin e ka Sali Berisha që foli! Po të mos e hapte ai gojën zeher, askush nuk do e merrte vesh zezonën! Të jetë kjo Policia që duam? Zor ta thuash, po Kryeministrit ia kanë me hile të vetët, zorzopët!

Marshi i Barabajt ka ca ditë që ushton hesheve të atdheut! O katil, o rezil, o kokut, o lubi etj., etj.! Fjalë në gojën e Opozitës! Më datën 16 thonë se do sjellin milet të madh poshtë zyrës së Kryeministrit! Disa mendojnë që do bëhet qameti! Të tjerë besojnë se gjindja vjen për ta përshëndetur të parin e vendit, për t’u sqaruar e bërë ca muhabet! Mbase nuk vijnë nga anë e anës për të protestuar pas 6 vitesh për cilësinë e qeverisjes! Ata e kanë harruar kanabisin, e vetë Saimir Tahirin! Po kaq edhe koncesionet në mjekësi e PPP-të e famshme! Korrupsioni e zbrazja e vendit sikur nuk bën më përshtypje! Këto ndryshimet e fundit në qeveri kanë ngjallur disi kuriozitet! Kureshtarë sot janë shqiptarët, duan të dinë kush është kjo Denaj, Margariti, Shahini dhe gjeniu faqekuq Gent? Kanë besim te Rama, po gjithsesi duan ta dëgjojnë prej tij! I ka marrë malli për Arben Ahmetajn e Gjiknurin, për Mirelën, ndaj vijnë të shumtë! Keq është puna me këta të Unazës së Re se ata kanë humbur qetësinë se opozita u thotë, ja, një km rrugë qeveria e bën me 20 milionë euro, një firme fantazmë i jep 30 milionë euro e jua bën shtëpitë shkrumb e hi! Eh, janë pak të tallazitur nervash ata të gjorët kur ua mbushin mendjen që shtëpitë ua prishin për korrupsion! Thuhet që do jenë shumë e do rrinë gjatë! Ndaj, Kryeministrit ia lyp ndera e të zotit të shtëpisë të hapë një akçihane në hollin e pallatit qeveritar! Në fillim të nxjerrë Ruçin të shpërndajë duhan, t’i pyesë për plang, rob e gjë të gjallë! Më pas, Agaçi t’u marrë kapotat, t’ua varë në gardërobë! Musai me bolier në krah t’u ndajë ujë kroi! Etilda me Ogertën petulla të bymyera me mjaltë t’u qetojnë fytin! Braçe me Milvën plot babaxhanllëk të skuqin patate, të presin djathë e të mbushin dhallë! Dulcis in fundis! Vetë Rama me tavë bakllavaje të dalë në shesh e të shpërndajë kallëpe, teksa i sqaron e zbut një me një! Janë ditë të çuditshme, gjithçka mund të ndodhë! Barinjtë në veri në dimër ngjatjetojnë njëri-tjetrin me urim e qitsh tufën në pranverë! Mijërat që do shkojnë poshtë dritares së Ramës a thua vijnë me këtë urim, pra, që Ai (Kryeministri) me “dhentë” e tij të dalë në pranverë apo me mallkimin, mos të zaftë ditë e verës! Gjithçka varet nga kuzhina qeveritare e sidomos nga petullat me mjaltë!

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.