Analiza/ Nuk mjafton koalicioni ndërmjet PD dhe LSI

Pamjaftueshmëria e koalicionit ndërmjet PD dhe LSI

 

gjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Nuk mjafton një koalicion ndërmjet PD dhe LSI për ta mundur Edi Ramën dhe zhallogën e tij të thirrur Rilindje. Nuk mjafton kjo gjë edhe nëse dëbohen të gjithë armiqtë e brendshëm në këto parti, të cilët me tekat, interesat dhe humoret e tyre penguakan vëllazërimin politik. Nuk është më një çështje aritmetike, e cila duhet respektuar pa asnjë neglizhencë. Koalicioni ndërmjet PD dhe LSI është i domosdoshëm për të hyrë në betejë, qoftë për zgjedhjet lokale e ku më tepër për ato politike. Por, për të fituar diçka rrënjësore, cilësore, frymëzuese, duhet të ndodhë së pari brenda këtyre dy partive, gjë të cilën s’ka koalicion që e zëvendëson.

U bënë 5 vjet që PD udhëhiqet nga Lulzim Basha. Pas trashëgimisë së Sali Berishës, kjo nuk është një barrë e lehtë. Njëkohësisht e madhe ka qenë pritja që kjo parti të fitonte një identitet dhe mision të ri pa komplekse. Nuk është realizuar një gjë e tillë. Komplekset e natyrave të ndryshme kanë eklipsuar misionin dhe identitetin. Nuk ka qenë një gjë e lehtë përballimi i supermaxhorancës të dalë nga zgjedhjet e vitit 2013, veshur me arrogancë e stolisur me përbuzje! Por Opozita nuk ka shfaqur kurajë dhe vullnet të shohë vetveten thellë.

 

Për disa vjet fajësoi popullin për keqkuptim, keqvotim etj., etj.. PD e udhëhequr nga Basha pësoi dy disfata elektorale, një në vitin 2015 në lokale dhe tjetra katastrofë në çdo kuptim në politikat e qershorit 2017. Ta kërkosh fajin e humbjes tënde vetëm te kundërshtari është naivitet fëmijësh. Lidershipi, trupa njerëzore dhe retorika që PD përdori, nuk ia doli të jetë bindëse.

Një parti, e cila për ekzigjenca personale të Bashës u krastit nga figurat e saj historike, u shfaq si konglomerat mbetjesh pa peshë të PD-së së “vjetër” me personazhe anonim e rastësore, e si të tillë, pa karizëm të rekrutuar nga Basha. Kjo ofertë u refuzua nga elektorati. Nuk kishte asgjë të re në të. Përkundrazi, ishte më e vjetra dhe më e dekompozuara ofertë, që një parti opozitare kishte bërë ndonjëherë. Po kaq u ndëshkua tendenca e Bashës për sundim absolut të PD-së. Në këtë rast, nga votuesit e kësaj force. Mbi 200 mijë i munguan kutisë.

Një vit ka kaluar pas këtij shokimi. Agresiviteti ndaj Bashës është shtuar, po kaq edhe mosveprimi i tij në parti. Një gjendje paralize e ka kapluar faktorin kryesor opozitar. Të gjithë ata që duan ndryshim presin të ndodhe diçka serioze në PD, por “kolonelit s’ka kush t’i shkruajë”! Sa më shumë i theksohet gjendja e rëndë ku është katandisur opozita, aq më tepër Basha forcon muret e izolacionit dhe mbylljes, duke i qerasur kritikët me terma si antiopozitare. Ka një vit që humbi zgjedhjet e radhës, përveç nji kongresi që çimentonte karrigen e tij në rast humbjesh, asnjë risi s’ka asaj ngrehine.

Nëse lë mënjanë nja 7 a 8 deputetë, zgjedhje të dikurshme të Berishës, grupi i Bashës nuk merret seriozisht prej askujt. Kryetari i PD-së ka dhënë maksimumin e tij në surprizë dhe shastisje, kur mendon që u pat folur shqiptarëve për “Republikë të re”! Zor të ketë shqiptar që aty sheh një qeveri hije. Hierarkia e PD-së aktuale, me nënkryetarë, me sekretarë, me figurat kryesore aktuale përfaqësuese, shfaqet si diçka tejet e konsumuar, joserioze, e lodhur dhe aspak referenciale për ndryshim.

Loading...

Në disa raste shkaktojnë edhe të qeshura me keqkuptimin, në të cilin jetojnë. Në këtë këndvështrim, PD ka nevojë të rithemelohet, të përcaktojë vetveten, zëdhënëse e kujt dëshiron të jetë! Gjithashtu, ajo e ka jetike ikjen nga banaliteti dhe kthimin në seriozitet! Ka ende mundësi. Mbi të gjitha, ka etje që diçka kësodore të ndodhë. Gjithçka varet nga Basha. Frika e njohur dhe trimëria e tij e panjohur, inteligjenca e shfaqur deri më tash dhe ajo që presim nesër, janë limitet. PD dhe Basha mund të bëhen alternativë ndaj PS-së dhe Ramës nëse ia dalin të vizatojnë në sytë e shoqërisë të ndryshmen, antimodelin dhe jo kopjen e mjerë të tij dhe rraqes -rilindje.

Po kaq e trishtë shfaqet panorama në LSI, e cila dikur lindi si një parti mjaft simpatike dhe luftarake. Ikja e Metës në Presidencë e ka shndërruar LSI-në në deledash, edhe në pushtet edhe në opozitë. Pastaj Meta u zgjodh atje me votat e socialistëve, kjo moralisht e nxjerr pak ligsht. Ky formacion ka ndenjur 8 vjet në pushtet dhe ka veç një vit në gjysmë opozitë. Sapo Meta u zgjodh President, ai dhe partia e tij hynë në një kurth të madh etik. Presidenti i zgjedhur doli në fushatë.

Emëroi Petrit Vasilin kryetar partie, të cilit do t’i binte telefoni për koalicion dhe dy muaj më pas e shkarkoi për ta zëvendësuar me zonjën Kryemadhi. Kjo ishte një shaka tepër serioze për nivelin e demokracisë dhe provë e të qenit familjarë të kësaj partie. Vasili, saç u gëzua kur e pranoi detyrën, me të njëjtin gëzim u dorëhoq. Monika Kryemadhi ka eksperiencë të gjatë në politikë, por është larg aftësive të të shoqit, edhe pse ka mbrojtur doktoraturë në UT.

Pastaj, metamorfoza e LSI-së është më e rëndë se e PD-së apo e PS-së, në raport me personalitetet që e themeluan. Nëse dikur në krah të Metës, gjithmonë në këndvështrimin e majtë, shfaqeshin Pëllumb Xhufi, Zabit Brokaj, Fatos Klosi, Ndre Legisi, Sokol Nako etj., që një CV u lexohej dhe kishin bërë disa beteja politike, ndërsa sot Monika është rrethuar me fëmijë të mbarë, po veç kaq, Nora Malaj dhe disa ish-ministra tradicionalë, në heshtje të plotë nga frika se mos Kryeministri i shantazhon.

Ylli Manjani, i cili ka grintë për t’u përballur, u la jashtë skemës së përfaqësimit se u cenoi humorin në një moment. Kësisoj, edhe LSI e ka të nevojshme të lëshojë disa aksione, si pronë private e Ilir Metës e Monika Kryemadhit, dhe të kthehet te kauzat që mbrojti kur u krijua e mbi të gjitha, te personalitete, personazhe a persona të pranuar nga shoqëria jo thjesht si vegla të bindura të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, por si njerëz që u punojnë në mënyrë autonome veglat e tyre mendore!

Asnjëherë kjo forcë kaq e anatemuar për çështje korruptive nuk ka bërë një akt purifikimi. Një të vetëm. Edi Rama nuk është më një axhami në punët e politikës. Përkundrazi. I njeh të gjitha mjetet me zell Mefistofeli. Në fushën e joshjes dhe banalitetit, pushteti e sidomos ky pushtet kaq korruptim, ka gjithmonë epërsi përballë banalitetit dhe konsumimit të opozitës. Nëse opozita i del në mejdan me armë te tjera si në vitin 2005, e sigurt që e mund dekadencën. Një shoqëri e mpirë ka nevojë ta prekë besimin para se ta japë.

Në një fazë metafizike e kushtëzuar prej politikës, ku të gjithë janë vënë në provë dhe kanë zhgënjyer, gjendet ajo. Dilema e Shën Tomës, që pa e pa nuk beson, është legjitime. Për fjalë, hoka e qyfyre Edi Rama të merr gjak në vetull. Ndaj, koalicioni mes PD-së dhe LSI-së aktuale është në këto kushte, i pamjaftueshëm për ta mundur Edi Ramën. Basha (Berisha) dhe Kryemadhi (Meta) kanë nevojë për koalicion me disa të vërteta e më pas mes tyre. Ata kanë dy rrugë! Të vazhdojnë si deri më tani, ose të shohin të vërtetën në sy e të reagojnë sipas ligjësive të saj. Por ani, si ta kenë! Ky artikull u shkrua per panorma

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.