ANALIZA/ Muç Nano: Rama t’i japë fund lojës, njerëzit e maxhorancës kanë arsye të mos e bëjnë gjumin e qetë. Kërcënimet me reformën…

Sipas Mustafa Nanos, reforma është duke ecur edhe pse ngadalë. Megjithatë ka një gjë që e komprometon atë. Kjo sipas moderatorit është debati politik që e ka shoqëruar qysh prej fillimit. Nano u shpreh se është krijuar një përpjekje për të pretenduar se mazhoranca do ta kontrollojë atë për të shpartalluar pjesëtarët e opozitës.

nano

Megjithatë për Nanon kërcënimet që bën mazhoranca me reformën në drejtësi ndaj opozitës janë mënyra më e mirë për ta diskretituar reformën. Ai bën thirrje që anëtarët e mahzorancës t’i jepnin fund kësaj loje, pasi nëse SPAK dhe BKH do të veprojnë, edhe ata kanë arsye të mos e bëjnë gjumin e qetë.

Monologu i plotë:

Ambasadorët, dhe të huaj të tjerë që merren me ne, sa herë që u duhet të flasin mirë për Shqipërinë, ndalen te reforma në drejtësi. Madje, edhe këto ditë, kur protestat e opozitës krijojnë përshtypjen se Shqipëria është në zgrip të ndonjë humnere, të huajt vijojnë të flasin për progresin që ka bërë Shqipëria dhe si ilustrim sjellin reformën në drejtësi. Duket sikur duan të na mbushin mendjen se kjo reformë, qoftë edhe e vetme, ja kështu si është, një margaritar në mes të një kapice hedhurinash, do t’iu mjaftojë atyre për t’i dhënë OK-in kërkesës sonë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Dhe nuk është çudi që të jetë kështu. Anëtarësimi në klube e struktura të tilla ndërkombëtare, lëre se çfarë thuhet, nuk ka lidhje me suksesin lokal. Përkundrazi, ka lidhje me frikëra, pasigurira, llogarira, konjuktura ndërkombëtare. Ju kujtohet se kur u pranuam në NATO? Menjëherë pas shpërthimit të Gërdecit. Aq sa të bëhej të besoje se pa atë tragjedi të madhe të ngritur mbi një biznes korruptiv e mbi abuzimin e pastër me pushtetin politik, nuk do ta kishim atë “Miracle of Freedom”.  

Reforma vetë, në fakt, është duke ecur. Ngadalë e me probleme, duhet thënë, por kjo ngadalësi e këto probleme nuk duket se e komprometojnë reformën në tërësi. Është diçka tjetër që e komprometon atë, dhe kjo diçka tjetër është debati politik që ka shoqëruar qysh prej fillimit këtë reformë. Më saktë, është një përpjekje për të pretenduar një lloj patronazhi politik mbi reformën, me fjalë të tjera është ideja se kjo është një reformë e kërkuar nga mazhoranca, e bërë nga mazhoranca, me synimin strategjik për ta vënë sistemin e drejtësisë në duar të mazhorancës dhe me synimin imediat për të shpartalluar disa zullumqarë në opozitë. Kjo ide ka zënë vend në kokën e njerëzve edhe për shkak të sabotimit që ka dashur opozita t’i bëjë gjatë gjithë kohës reformës, e të një frike që është manifestuar te Berisha & Co. Por mbi të gjitha për shkak të lojës që ka bërë e po bën mazhoranca. Nuk ka ditë që të mos dalë dikush prej tyre e të thotë, duke iu drejtuar Berishës & Co: “Po vjen SPAK-u, po vjen, ja edhe pak, dhe qyqet ju pastaj ç’do hiqni!”

Tani, unë nuk e di se ç’do të bëjë SPAK-u, apo Byroja Kombëtare e hetimit. Por di një gjë tjetër ama, dhe këtë e di me siguri, di që këto kërcënime me shpatën e reformës që mazhoranca na e mban mbi kryet e kundërshtarëve të vet janë mënyra më e mirë për ta diskredituar e komprometuar këtë reformë. Prandaj, njerëzit e mazhorancës, Edi Rama i pari, do bënin mirë t’i jepnin fund kësaj loje, me të cilën nuk është çudi të mbajnë veten me gajret. Sepse unë nuk besoj që SPAK-u e Byroja Kombëtare e Hetimit po krijohen veç për t’i treguar vendin ndonjërit në opozitë. Unë besoj që këto struktura do të veprojnë kundër të gjithë atyre që kanë abuzuar me pushtetin. E nëse është kështu, njerëzit e mazhorancës kanë arsye gjithashtu ta bëjnë gjumin të paqetë. Dhe unë mendoj se të gjitha kërcënimet që ata bëjnë me armën e SPAK-ut e të BKH-së janë, më së pari, një mënyrë për t’i dhënë zemër vetes. Madje, as komprometimin e reformës nuk e kanë për synim. Komprometimi i reformës vjen si pasojë, s’ka gjë se dëmi është i madh, gjithsesi. /abcnews.al

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.