ANALIZA/ “Kushtet e Merkelit dhe ato të Tahirit për Ramën

AGRON GJEKMARKAJ gjekmarkaj

Ne shqiptarët i kemi ikur Europës më shumë se gjithë popujt e tjerë të Ballkanit. Arsyet historike janë të njohura e të stërthëna! Përsëri jemi të fundit në gjetjen e një vendi në rendin e saj politik, ekonomik e mbi të gjitha në atë doktrinar të vlerave që i skalisin fizionominë.

 

 

Menjëherë pas rënies së diktaturës, krahas njerëzve të  ndershëm, të cilët ngjanin me personazhet e pikturave të Gojes, që buka e fëmijëve i çoi sokaqeve të Europës, një armatë e madhe “njerëzish të rinj”, lloj-lloj matrahulësh, krena pa formë, e forma pa krye, batalione prostitutash, çeta gjakësore kriminelësh, u bënë subjekt i lajmeve në çdo shtet dhe tmerri i imazhit shqiptar. Pos kësaj, gjatë 30 viteve demokraci, në shumicën e rasteve, lidershipi shqiptar u soll ndaj Europës me logjikën e propagandës që përdorin katundeve e zabeleve të Shqipërisë. Këtu kap, shqyej, rrëmbe, shaj, fyej, kërcëno, ha, krekosu, me fytyrën shollë, kepucët e barkun lodër, në paradhomat e Europës paraqiten si shknjalla të përhimta të spërkatuna me hile të ndërsjella. Me një lehtësi dhe siguri, me një aftësi të frikshme për të mos u turpëruar e shpifur, me atë shakllabanizëm që i imponohen qytetarit shqiptar, i cili ende s’e ka të plotë ndërgjegjësimin se çfarë është liria dhe demokracia, sunduesit e këtij vendi besonin e besojnë që me rrejtë “kaurin”, Europën, është sevap! Madje, të majmur e të pasuruar, të bindur se zotërojnë dijen supreme, sekretin e epërm, taktin dhe momentin, gjykimin e fundit dhe zgjidhjen e parë, me atë kapardisje që ngrehen studiove televizive, ku fjalët u thyejnë dhëmbët si arra gurçe, mendojnë e besojnë se mund të magjepsin edhe kancelaritë europiane e veçanërisht liderët e tyre.

Me një mentalitet provincial të themeluar mbi batakçillëkun, xhahillëkun, zgrapsjen, sektin dhe sevapin, domethënë rrenën të ambalazhuar me kartonët e injorancës, ata gromësijnë qyteteve europiane, duke prezantuar sukseset nën udhëheqjen e tyre. Ndonjëherë, edhe e kërcënojnë Europën, i tundin gishtin nga frëngjitë e propagandës teksa prodhojnë dhimbje, kriza e thyerje. Ata (europianët) na shohin herë me mëshirë e herë me përbuzje. E ja ku jemi, ende pas 30 vitesh pas rënies se komunizmit, si formë qeverisjeje e jo si mentalitet, të fundit në dyert e Europës, e cila ka një hall të madh me ne, të na lërë nën influencat ruse a neotomane, të cilat si serotinë bien këtyre anëve, nën kartelet e kanabisit, një rrezik ky edhe për ta apo të na marrë nën vëzhgim??!! Për momentin, ngjan se në Gjermaninë e Kancelares Merkel po triumfon kjo linjë gjeostrategjike.

Gjithsesi, ata i vendosen qeverisë së Edi Ramës nëntë kushte bazike për ta quajtur formalisht Shqipërinë shtet demokratik. Në secilin prej tyre, vetëkuptohet që vendi ynë nuk plotëson kriteret e Kopenhagës si përkufizim për demokracinë. Ato kushte kërkojnë të mbushin boshin e madh në drejtësi, atë të legjitimitetit të zgjedhjeve si dhe dënimin e atyre që votën e vjedhin, e blejnë, e marrin me shantazh! Vështirë që kjo qeveri t’i përmbushë se është njësoj sikur mëma të dënojë bijtë e vet. Edi Rama ka gjashtë vjet që i premton negociatat, ndërsa në anën tjetër u fut dinamitin institucioneve të vendit. Ai ka katër vjet që thotë u hapën dhe madje, dekoron ambasadorë të ndryshëm për këtë sukses.

Madje, bashkë me tellallët e vet, pat shpallur armik e agjent të Rusisë deputetin Kriçbaun, njeriun e afërt të zonjës Merkel, sepse ai i pat vënë 7 pika qysh në vitin 2016, një prej tyre për lidhjet e politikës me krimin, të cilat janë intensifikuar. Tani, ato kushte u përsëriten me disa të tjera plus. Një agjitprop i fëlligtë ka pushtuar këdo në rreshtat e parë të Rilindjes, flokëbardhët e flokëlyerit, të gjatët e shkurtaqet, bylbylat e bareshat! Shoqëria shqiptare e dëshiron Europën, disa shpirtërisht, të tjerë materialisht, por e vërteta e fundit është se e duan! Ndërsa qeveria nuk ka plotësuar asnjë kusht dhe jeta jonë e brendshme, ajo politike, ekonomike, e rendit dhe sigurisë, sundimi i ligjit, raporti me korrupsionin dhe krimin nuk ka krahasim as natën, as ditën, me vendet europiane. Por hapja e negociatave, nëse ndodh, është një lajm tejet i mirë dhe i shumëpritur, në të cilin Edi Rama s’ka kurrfarë merite, ndonëse do t’i përvetësojë të gjitha!

Sa më shumë Europa hyn në Shqipëri, së paku po aq rritet shpresa që matrapazët që na qeverisin një ditë mund të japin llogari diku, në mos para gjykatave, përballë zotit dhe historisë po!! Kushtet e Merkelit mund të na çojnë drejt kësaj shprese hipotetike e iluzive, ndërsa kushtet e Tahirit ndaj Ramës, të cilat u gatuan gjatë orëve të gjata të pasdites së djeshme, e kushtëzojnë shumë më tepër Kryeministrin tonë. Këto do t’i realizojë medoemos, ndërsa ato të Merkelit tu pa, tu ba, madje na bëri edhe për të qeshur në këto ditë te vrugta!! Urime të përzemërta Reformës në Drejtësi, e cila e filloi mbroth, me këmbën e djathtë, punën e saj!

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.