ANALIZA/ Berisha luan si playmaker, Thaçi bën autogol!

Ai nuk është president republike, nuk është as kryeministër, madje nuk është as kryetar partie, por mbetet një lojtar shumë nuhatës në fushën e lojës politike, sidomos kur bëhet fjalë për qëndrime që lidhen me politikën rajonale dhe ndjeshmëritë që ajo ka në raport me shtetet dhe kombet brenda Ballkanit. E tillë ishte edhe lëvizja rrufe e Berishës kur thirri në Tiranë drejtuesit e Luginës së Preshevës, për t’iu bërë thirrje të mos ndërmarrin hapa për bashkimin me Kosovën në dëm të interesave më madhore të Kosovës.

Kjo lëvizje e tij i kapi në befasi të gjithë, që nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, Kryeministri Rama, Ministri që merret me këto punë dhe punët për Europën, madje dhe Kreun zyrtar të Opozitës Lulzim Bashën. Ndërsa në Tiranë shtetarë e politikanë janë hallakatur plazheve e se kanë fort mendjen te çka po ndodh në Kosovë, në Prishtinë deklarata e Berishës krijoi reaksion aq të fortë sa Presidenti Thaçi nuk arriti t’i përmbahej qoftë dhe formalisht etikës institucionale dhe nivelit politik që mban aktualisht dhe shkarkoi një lumë akuzash ndaj ish-Presidentit të Shqipërisë.

Shumë kush kur lexon akuzat e Thaçit mendon se Berisha është shqetësuar prej tyre. Asfare! Përkundrazi kjo është ajo që kërkon Berisha. Vëmendjen dhe projektorët mediatikë. Të gjithë u kthyen drejt tij. Ai “i thithi” me intuitën që ka. Kreu lëvizjen e duhur, shfaqi qëndrimin e duhur dhe për më shumë në kohën e duhur. Kjo nuk është pak në kontekstin politik për një politikan që kur i duhet vëmendja publike e merr dhe në maksimumin e vet. Thaçi replikoi me Berishën pa ja përmendur emrin. I kujtoi të shkuarën, qëndrimet e veprimet të tërthorta e direkte në raport me Kosovën.

Loading...

Le t’i marrim të mirëqena ato që thotë Thaçi për Berishën se ka thyer embargon e OKB-së dhe ka lejuar që nafta e Shqipërisë të furnizojë makinerinë serbe të luftës gjatë presidencës së tij në vitet 1992-’96, se e ka quajtur UÇK-në terroriste e se paskërkësh lejuar të fshihet në Shqipëri edhe Bin Laden. Çështja është që ky burri që ka bërë gjithë këto akte (të përfolura por të paprovuara ligjërisht) ka të drejtë aktualisht kur thotë se nuk duhet nisur fare një proces që do ta ekspozonte Kosovën përballë rrisqeve territoriale.

Keq ose mirë, me hipokrizi ose jo, me ndjeshmëri apo jo, Berisha e tha troç, askush tjeter në Tiranë; Kosova nuk mund dhe nuk duhet të hyjë në spiralen e shkëmbimit të territoreve, sepse do të shndërrohej në një problem shumë madhor jo vetëm për hapësirën territoriale të saj dhe cënimin e integritetit territorial si shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht. Berisha e di se nuk ka forcë ta ndalë këtë proces që i kalon limitet e tij aktuale politike, por e përdor rastin për të treguar se ai është një lojtar inteligjent dhe faktor i rëndësishëm politik në rajon, për të thënë ndoshta jo atë që ai beson, por për të thënë atë që populli kërkon.

Berisha e di çfarë duan shqiptarët këndej dhe andej kufirit të dëgjojnë për Kosovën, ndaj di ku të ndërhyjë dhe si ta bëjë. Ai sërish e luajti lojën si një playmaker profesionist, të tjerët janë ende amatorë në këtë aspekt. Mjafton të shohësh reagimin e Thaçit dhe kupton se politika është si një lojë futbolli mund të tentosh të qëllosh por bën autogol. Çështja është se kur autogoli është thjeshtë personal pasojat janë individuale, por kur autogolin që bën e ke me pasoja politike atëherë ato i vuan vendi. Të shpresojmë që autogoli i Thaçit të mos i kushtojë Kosovës. Në këtë rast humbja do të ishte shumë e madhe, pa kthim! /Lexo.al

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.