Agron Shehaj : Duhet të hetojmë kryeministrin Rama

Në rastin më të mirë ai ka qenë i informuar nga shërbimi sekret i huaj dhe i brendshëm mbi çfarë bënin ministrat dhe shefat e policisë. Në rastin më të keq ai ka qenë personalisht i përfshirë”.

40 Agron Shehaj nga një sipërmarrës i suksesshëm, shumë shpejt u bë një nga protagonistët e grupit parlamentar të PD-së.


Shehaj thotë për se reforma në drejtësi është një prej arsyeve që e shtyu të hyjë në politikë. Ndaj deputeti i PD-së i qarkut të Vlorës ka vendosur të përballet në Kuvend dhe jashtë tij pa asnjë mëdyshje me mazhorancën e majtë, të cilën e akuzon ashpër për lidhje të forta me krimin e organizuar. Agron Shehaj shkon më tej kur thotë se, “duhet të kërkojmë hetimin e kryeministrit.

Në rastin më të mirë ai ka qenë i informuar nga shërbimi sekret i huaj dhe i brendshëm mbi çfarë bënin ministrat dhe shefat e policisë. Në rastin më të keq ai ka qenë personalisht i përfshirë”.

Nisur nga situata e kriminalitetit në vend, z.Shehja tregon arsyet se pse shqiptarët të majtë dhe të djathtë duhet të mbushin sheshet e Shqipërisë kundër klikës së pushtetit.

Z.Shehaj, viti 2017 ishte i vështirë për PD-në që nga humbja e zgjedhjeve e deri tek mbyllja e vitit që lamë pas me një protestë brenda dhe jashtë parlamentit…

Në 2017 nuk humbi vetëm PD-ja, por Shqipëria. Mendoj se jemi një nga vendet e vetme në botë që në 2017 nuk jemi në gjendje as të organizojmë zgjedhje të lira. Vetë Rama e pranoi që ka pasur blerje të votës.

Të paktën ju a u pajtuat me z.Braçe, me të cilin keni debatuar fort për buxhetin e vitit 2018?

Me Braçen dhe politikanët si Braçe më ndajnë idealet dhe puna. Braçe nuk ka punuar ndershmërisht një ditë të vetme në jetën e vet, unë kam filluar punë që 14 vjeç dhe arrita të krijoja kompaninë private me të madhe në Shqipëri, mbi 3000 të punësuar. ‘Ujqërit’, të mëdhenj dhe të vegjël si Braçe e mbajnë peng Shqipërinë, mbajnë larg investitorët dhe janë arsyeja kryesore pse shqiptarët ikin. Pas 27 vitesh do më vinte turp të vazhdoja në politikë, por për disa turpi nuk është arsye për t’u larguar nga politika.

2018-ta e gjen PD-në duke u përgatitur për protesta masive kundër qeverise, por cili është konkretisht qëllimi i tyre?

Qëllimi ynë është që të shkundim shqiptarët, të majtë dhe të djathtë dhe t’u tregojmë se këta të paaftë, mashtrues dhe trafikantë dje vodhën të ardhmen tonë dhe sot po vjedhin të ardhmen e fëmijëve tanë.

Nëse këto protesta do të bëheshin për çështje ekonomike që prekin direkt jetesën e qytetareve, besoni se sheshet e vendit do mbusheshin plot me njerëz, shumë më tepër ndoshta sesa për çështjen e zgjedhjes së kryeprokurores se përkohshme?

Krimi dhe shkelja e ligjit është burimi kryesor i varfërisë, pavarësisht se mund të duket pa lidhje. Protesta është kundër sundimit absolut të një grup njerëzish në kurriz të shumicës se qytetarëve. Këta kanë kapur shtetin, trafikojnë, bëjnë ligjet në interes të tyre, ushtrojnë presion ndaj mediave, tani kanë kapur edhe prokurorinë. Ka ndonjë shqiptar aq naiv sa të mendojë që Rama dhe ministrat e tjerë nuk dinin çfarë bënte Tahiri apo që kryeprokurorja e zgjedhur nga pushtetarët socialistë do jetë e lirë dhe e pavarur për të hetuar Tahirin për trafik droge apo Veliaj për vdekjen e Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës? Angazhimi i Ramës në mbrojtje të Tahirit tregon qartë që Tahiri ka punuar për llogari të elitës së PS-së. Njolla e trafikut të drogës do ndjekë përgjithmonë jo vetëm Ramën, por edhe PS-në.

Z.Rama ka deklaruar që nëse Tahiri është i fajshëm, ai duhet të dënohet…

Unë mendoj që duhet të kërkojmë hetimin e kryeministrit. Në rastin më të mirë, ai ka qenë i informuar nga shërbimi sekret i huaj dhe i brendshëm mbi çfarë bënin ministrat dhe shefat e policisë. Në rastin më të keq ai ka qenë personalisht i përfshirë. E di që tingëllon e pamundur, por kush e imagjinonte që ministri i Brendshëm të ishte realisht i përfshirë në trafikun e drogës para se të dilnin përgjimet? Kështu si po shkojnë punët, do jetë pothuajse e pamundur që të dënohet Tahiri dhe nëse dënohet ai s’ka për të qenë i vetmi, por do dënohet të paktën edhe Rama me kupolën e partisë socialiste.

Qeveria akuzon opozitën se është kundër reformës në drejtësi…

Qeveria mashtron. Të jemi të sinqertë, merita kryesore për reformën nuk është as e PS, as e PD apo e LSI, por e ndërkombëtarëve. Edhe pse PD-ja mund të jetë dukur skeptike, lidhet me rrezikun e kapjes së drejtësisë nga PS-ja. Rama këtë e përdor për të gënjyer duke thënë që PD është kundër reformës. Nuk ka ndonjë vend tjetër në botë apo një mendje të shëndoshë që i kërkon përgjegjësitë tek opozita. Aq më pak kur këtë e bën pushteti. Ju lutem t’i japim fund këtij absurdi.

Atëherë mendoni se reforma nuk duhet bërë?

Loading...

Reforma në drejtësi është një prej arsyeve që më shtyu të hyja në politikë. Kjo qeveri është e korruptuar, e thonë raportet e ndërkombëtarëve mbi Shqipërinë. Rreziku është që nga një gjyqësor i korruptuar, por i pavarur të kalojmë një gjyqësor të korruptuar dhe të varur nga qeveria. Do ta shikojmë, ka shumë mundësi që Rama të përdorë drejtësinë për të sulmuar PD-në. PD është e hapur për çdo hetim, por po nuk u dënua edhe kupola socialiste nuk do ketë kurrë drejtësi.

Ndryshe nga disa kolegë tuaj të PD-së, ju përballeni në Kuvend me mazhorancën, edhe me statuse në “Facebook”, por çfarë ju bën kaq kritik ndaj kësaj qeverisjeje?

Më habit kjo pyetje, unë mendoj se po bëj shumë pak. Në gjendjen që është Shqipëria, e qeverisur nga një grup gangsterësh, e veshur me kostume që hetohet për lidhje me krimin dhe trafik droge, që ka pushtetin, paratë dhe pjesën më të madhe të mediave, unë duhet të kisha hyrë në grevë urie.

Si i keni raportet me kryetarin Basha?

Për sa më takon, shumë të mira.

Si i konsideroni zërat kundër tij brenda PD-së?

Jam shumë i ri në PD që të gjykoj mendimet brenda PD-së. Me disa prej tyre mund edhe të jem dakord, me disa të tjerë nuk jam dakord, por i respektoj.

Besoni se brenda PD ka njerëz të interesuar që PD të qëndrojë gjatë në opozitë?

Nuk besoj.

Sipas jush, si mund t’i shkurtohet mandati qeverisë “Rama” apo PD do presë deri në zgjedhjet e ardhshme?

Mandati i qeverisë shkurtohet vetëm me zgjedhje të lira. Në nuk jemi të gatshëm t’i vëmë zjarrin Shqipërisë vetëm e vetëm për të marrë pushtetin. Për sa më takon, pushteti nuk është synimi, por mjeti për të ndërtuar një Shqipëri, ku sundon ligji dhe jo pushtetari. Pushteti na duhet që t’u kthejmë shqiptarëve lirinë që të ndërtojnë në Shqipëri një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Që të krijojmë kushtet që të kthehen investitorët e huaj, ku banditët të jenë në burg dhe jo të bëjnë ligjin, ku të punojnë të gjithë dhe jo vetëm miqtë e ujqërve, të kthehemi te përmbajtja dhe të braktisim kartolinat e propagandës së Ramës dhe Veliajt.

Si mund të ringrihet PD dhe bashkëpunimi me LSI besoni se e afron apo e largon me pushtetin?

Të gjithë mendojmë se koha e dobëson pushtetin dhe në fakt kështu është në vendet demokratike. Rama po kap të gjitha pushtetet dhe forcon kontrollin mbi shtetin. Pas një katërvjeçari të dështuar (dështime në të gjitha fushat, dështoi në shëndetësi, në rend dhe siguri, në ekonomi, emigrim masiv të shqiptarëve etj…) fitoi zgjedhjet në 2017 me 74 deputetë, plus 4 të tjerë që i vjen rëndë të thotë që i ka të vetët. Si fitoi? Falë pushtetit, parave të pista, kontrollit pothuajse total të mediave, bandave dhe një sulmi të paprecedent dhe të mirorganizuar kundër opozitës. Skandali i Tahirit në vend që ta dobësonte, e forcoi më shumë se e detyroi të merrte edhe kryeprokuroren. Kush mendon se nuk duhet të ngrihemi dhe të bëjmë opozitë të fortë se me kalimin e kohës Rama do dobësohet e ka gabim, po shkojmë drejt diktaturës. Sot që flasim Rama ka të gjitha pushtetet, ai arreston, heton dhe dënon çdo qytetar. Ndërkohë që Tahiri mund të dalë jashtë shtetit kur të dojë dhe ish- shefat e tij të policisë janë në kërkim, ndërsa protestuesit e PD ndalohen nga policia në kufi dhe kalojnë net të gjata në qelitë e policisë.

Ju personalisht ndiheni i kërcënuar?

Absolutisht po. Asgjë nuk e ndalon Ramën të kërkojë të më mbylli gojën duke më akuzuar për evazion fiskal për shembull, apo ndonjë akuzë tjetër që mund të gatuajë. I ka të gjitha nën kontroll nga inspektorët, te shumica parlamentare për të më hequr imunitetin, te kryeprokurorja për të më hetuar dhe gjykatësit për të më dënuar. Prandaj ndarja e pushteteve është elementi themelor i demokracive liberale.

Mos po e bëni shumë të zymtë, po të ishte kaq keq do reagonin ndërkombëtarët?

Nuk flas dot për qëndrimin e ndërkombëtarëve, ata sigurisht kanë një vizion më të gjerë. Por po t’i pyesësh cili është prioriteti midis interesit të Shqipërisë dhe të vendit që ata përfaqësojnë, nuk kam dyshim se do ju thonë që ata janë këtu për të ndjekur interesin e vendeve të tyre në radhë të parë. Unë kam besim dhe jam i bindur që ata njëkohësisht punojnë për të mirën e shqiptarëve, por në disa raste për ta mund të ketë përparësi nevoja për stabilitet në Shqipëri. Personalisht kam shumë besim te ndërkombëtarët dhe si shqiptar jam shumë mirënjohës për çfarë bëjnë, por nuk mund të presim me shumë se ç’duhet nga ndërkombëtarët. Ata mund të na ndihmojnë, por vetëm shqiptarët mund ta bëjnë Shqipërinë.

Po qytetarët dhe shoqëria civile pse nuk reagojnë?

Propaganda, presioni i jashtëzakonshëm mbi mediat, kapja e pushteteve dhe mbështetja te kriminelët u ka hequr çdo shpresë shqiptarëve. Ne si shqiptarë kemi një fat të madh, mund t’i ikim të keqes duke emigruar jashtë shtetit, por kjo njëkohësisht është fatkeqësia më e madhe për Shqipërinë, sepse i japim fushë të lirë të keqes të sundojë. Për këdo që do një jetë më të mirë, është më e thjeshtë të ikësh në Gjermani se sa të luftosh me Braçen, Ballën apo Tahirin. Në fakt, vetëm nëse personazhe të tillë, jo vetëm do të lënë pushtetin, por do të zhdukeshin nga politika, shqiptarët mund të fillojnë të ndërtojnë një shoqëri më të mirë./Gsh

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.