A po përçahet opozita para protestave?!

Përçahet opozita para protestave. Edhe pse u përfol për një koordinim dhe një bashkëpunim mes të gjitha forcave opozitare kundrejt qeverisë, duket se krisjet mes fronit opozitar kanë filluar të shtohen. Pas shqetësimit të shfaqur dy ditë më parë nga ana e aleatëve tradicional të PD kundrejt kreut demokrat Lulzim Basha për aleancën e PD me LSI ka ardhur dhe reagimi i Kryemadhit. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dje, teksa ishte e ftuar në një studio televizive, nuk i kurseu sulmet ndaj Dashamir Shehit, Fatmir Mediut, Agron Dukës si dhe Nard Ndokës. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, duke ironizuar me këta të fundit u shpreh se aleatët e PD nuk duhet të tremben nga LSI, pasi sipas saj, forca që ajo drejton nuk ka nevojë të marrë mandate qyl. “LSI ka peshën e vet në elektorat. LSI ka mandatet e veta, aleatët e PD të qetësohen se LSI ka listën e vetë dhe nuk dëshiron emrin në listën e PD. Sot ka nevojë për çdo grimcë opozitare. Ne nuk duam mandate qyl nga PD, thënë kjo, aleatët e PD-së duhet të qetësohen. LSI nuk do mandate qyl dhe as thela në qeverinë imagjinare. Rama nuk e merr dot peng opozitën. Rilindja është një sekt kriminal nuk ka lidhje me PS”, tha Kryemadhi duke iu kundërpërgjigjur aleatëve të PD.

Ndahen demokratët

Bashkëpunimi i PD me LSI duket se, përveç pakënaqësive që shfaqën aleatët e PD, ka shfaqur pakënaqësi edhe vetë brenda demokratëve. Ish-deputetja e PD, Arbjola Halimi gjatë një prononcimi për gazetën u shpreh kundër këtij bashkëpunimi. Sipas Arbjola Halimit ky bashkëpunim nuk është i besueshëm pasi LSI ka qenë në pjesën e qeverisë si dhe ka votuar reformat që PD sot po proteston. “Sikurse e kam theksuar edhe më parë unë nuk e mirëpres shumë këtë bashkëpunim. Nuk njihet si e djathtë dhe si e tille nuk ndan të njëjtën filozofi me PD. Plus është pak e besueshme sepse kanë qenë pjesë e reformave për të cilat ne protestojmë sot. Ose rrjedhojat e tyre. E kam theksuar ky bashkëpunim i shërben më shumë LSI për tu konfirmuar si opozite se sa PD. PD humbet në perceptimin publik forcën e saj opozitare si dhe fuqinë e saj protestuese nga ky bashkëpunim”, tha ajo. Por ashtu si ish-deputetja Halimi, të njëjtin qëndrim mban edhe deputeti i PD, Myslim Murrizi, i cili gjatë një prononcimi për gazetën para pak kohësh u shpreh se është kundër një aleance me LSI. Madje Murrizi deklaroi se 30% e militantëve të LSI vazhdojnë të jenë pjesë e qeverisë. “Megjithatë nuk ka asnjë degë forumi të Partisë Demokratike, Këshill Kombëtar, grup deputetësh apo Kuvend Kombëtar që të ketë marrë një vendim të tillë që të ketë bërë aleancë apo koalicion me LSI. Ata janë në opozitë me qeverinë Rama ashtu siç jemi dhe ne. Sa i përket qëndrimit të këshilltarëve të LSI nuk di ç’të them pasi 30% e administratës vazhdon akoma të jetë pjesë e qeverisë dhe pse ka pesë muaj që qeveria mori vrull për t’i hequr”, tha ai.

Mbështetje aleancës dhe protestave

Vetë deputetët në PD momentalisht vazhdojnë të jenë konfuz sa i përket çështjes së pakënaqësive të shfaqura nga aleatët si dhe bashkëpunimit me LSI-në. Kjo për faktin se një numër i madh i deputetëve të PD teksa u kontaktuan nga gazeta dhe u pyetën për këtë çështje refuzuan që të përgjigjeshin. Ndërkohë që për disa deputetë të tjerë kjo aleancë është një hap i madh sa i takon luftës kundrejt qeverisë. Sipas deputetit Luçiano Boçi, gjëja themelore e PD është protesta. “Themelore është protesta dhe argumenti kryesor është bashkimi në bazë të vlerave”, tha ai. Ndërkohë të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe deputeti tjetër i PD, Klevis Balliu i cili u shpreh se misionit opozitar nuk është partiak, por është kombëtar. “Misioni i frontit opozitar nuk është partiak, por është kombëtar sepse Edi Rama është rrezik kombëtar”, u shpreh ai.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.