Jepini vetes pakëz liri dhe shkëputuni nga lajmet dhe politika

- analiza, Kryesore
0

Mund të shkojmë edhe më tej, e të themi se ndoshta mbijetesa e demokracisë nuk varet nga fakti që, gjithçka që ne shohim, lexojmë dhe diskutojmë, ka të bëjë me mbijetesën e demokracisë. “Demokracia tiranizon jetën tonë sociale”, thotë filozofi Robert Talisse, dhe “tirania e demokracisë dëmton demokracinë”. Një politikë e shëndetshme varet nga ndarja e një hapësire të gjerë kulturore, dhe nga aktivitete që nuk kanë fare të bëjnë me politikën, përndryshe rrezikojmë të arrijmë deri aty, sa t’i shohim bashkëqytetarët tanë si përfaqësues të tribusë sonë, apo asaj rivale

Nga Oliver Burkeman

Një prej aspekteve më shqetësuese të kohëve të fundit është fakti se njerëzit vazhdojnë të konsultohen me disa produkte kulturore – filma, romane, programe televizive – sepse ato kanë diçka për të thënë, mbi “situatën aktuale politike”. Me sa duket, pasi kanë kaluar ditën në një botë të dominuar nga Trumpi, Brexit, format brutale të pabarazisë, misogjinisë dhe katastrofës mjedisore, disa prej nesh nuk kanë asgjë më të mirë për të bërë, se sa të relaksohen duke riparë gjithçka nga fillimi, me një gotë verë në dorë.

Personalisht, jam në kërkim të dëshpëruar të veprave që nuk kanë fare të bëjnë me aktualitetin, kështu që po lexoj mbi të gjitha libra të verdhë viktorianë. Nëse doni të vini në skenë një version të Jul Çezarit, që përfaqëson një kritikë të maskuar ndaj presidentit, bëjeni, por mos prisni që të vij ta shoh. Nuk mund të shkëmbej dy fjalë në darkë apo në kafe, pa ndodhur që ajo kukulla fashiste që pi Coca Cola të ndërfutet në bisedën time, kështu që hiqeni nga mendja, që unë të kaloj qoftë edhe një mbrëmje në kinema me të.

Unë jetoj në klimën aktuale politike, kështu që, falmëni nëse pas orës dhjetë të mbrëmjes gjej strehë në tetëqindën dhe rilexoj historitë e E.W.Hornung, me Raffles, hajdutin xhentëllmen.

Psikologët nuk e miratojnë shmangien, sepse për ta nënkupton një arrati nga realiteti. Dhe në ekstremet e veta, arratia nga realiteti në rastin më të mirë është receta ideale për një jetë pa kuptim, dhe në rastin më të keq, shkak i problemeve të rënda mendore. Por kjo nuk do të thotë që një dozë e moderuar është e gabuar. Qeniet njerëzore, shkruante Sigmund Freud, “nuk mund të jetojnë vetëm me kënaqësitë që arrijnë t’i shkëpusin realitetit”.

Ndoshta mund të shkojmë edhe më tej, e të themi se ndoshta mbijetesa e demokracisë nuk varet nga fakti që, gjithçka që ne shohim, lexojmë dhe diskutojmë, ka të bëjë me mbijetesën e demokracisë. “Demokracia tiranizon jetën tonë sociale”, thotë filozofi Robert Talisse, dhe “tirania e demokracisë dëmton demokracinë”. Një politikë e shëndetshme varet nga ndarja e një hapësire të gjerë kulturore, dhe nga aktivitete që nuk kanë fare të bëjnë me politikën, përndryshe rrezikojmë të arrijmë deri aty, sa t’i shohim bashkëqytetarët tanë si përfaqësues të tribusë sonë, apo asaj rivale, dhe nuk mund të bashkëpunojmë me ta, siç e kërkon demokracia. Kur na kërkon të hidhemi në një anë apo në tjetrën, një film apo një roman gërryen terrenin e përbashkët, mbi të cilin është e mundur të ngrihet një politikë konstruktive.

Veç kësaj, kur zhytemi në një aktivitet që na shkëput nga realiteti, e dijmë fare mirë atë që po bëjmë. Kur lexoj librat e verdhë të epokës viktoroiane, jam i vetëdijshëm për faktin që po bëj një pauzë nga realiteti. Ndërkohë që, kur mbërthehem pas telenovelës orë pas ore të Russiagate apo Brexit në rrjetet sociale, kam ndjesinë sikur po shqetësohem për realitetin, ndërkohë që në fakt jam duke praktikuar një tjetër lloj ikjeje: po injoroj gjërat e rëndësishme, për t’u marrë me vogëlsira.

Ndoshta në 2018-ën duhet t’i dedikojmë më shumë kohë ikjes e të merremi më pak me politikë, pikërisht sepse kur, më pas, të vendosim të merremi me të, mund të bëjmë dallimin.

Nëse doni të kaloni mbrëmjet ulur në divan duke parë Mary Poppins apo në kuzhinë, bëjeni. Dëshira juaj për largim nga aktualiteti jo vetëm është e justifikueshme, por ndoshta jeni duke kontribuar për të shpëtuar qytetërimin. / The Guardian

Facebook Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *