2 orë për një lëndë – “Të ngrysesh patëllxhan, e të gdhihesh spec”

Denata Toçe

Më ka ndodhur që të ndjek shkollën e lartë këtu në vendin tim, dhe një nga përpjekjet më të sigurta, ishte përballimi i lëndëve që përmbanin 2 orë rresht. Qëllon që kështu ishte pjesa më e madhe e lëndëve. Nga një hulumtim i shpejtë, kështu vazhdon ende edhe sot. Por fundja, unë isha një studente, dhe sikundër ndodh për një student, nuk je i/e detyruar të qëndrosh në të dyja orët e leksioneve. Më mirë akoma, ke mundësi të jesh selektiv dhe të vlerësosh se cilët ishin ata pedagogë që ofronin një qasje lektimi të larmishme, më përgatitje mbresëlënëse apo dhe me karizmën që ky profesion e kërkon dhe jo ngaherë e gjen. Pra, ora bëhet e këndshme nga mënyra se si bashkëveprojnë këto dinamika në procesin e mësimit: mësimdhënia dhe mësimnxënia. Fundja, në procesin universitar ka shumë për të thënë dhe ka shumë për të nxënë dhe do të duhet që të shtrihet në një kohë të konsiderueshme. Kjo duket se është testuar në praktikën e deritanishme. 
E nisa kështu këtë artikull, se vetëm në universitet e gjej qasjen e 2 orëve për një lënde. U nxita nga dëshira e mirë për të bërë një analizë të thjeshtë mbi risinë si rrufe të Ministrisë së Arsimit, që më kumbon këto ditë dimri, mbi ndryshimin e agjendës ditore për zhvillimin e lëndëve mësimore te cikli parauniversitar. Thonë që e ka propozuar një prind. Bukur, më pëlqejnë propozimet e prindërve edhe të mësueseve, edhe të vet nxënësve, për më tepër. Por, nuk justifikon që këta të fundit kanë gjithmonë të drejtë, por edhe sikur të ishte kështu, do të duhet të kalonte në një filtër shumë të kujdesshëm, të identifikueshëm e të matshëm, dhe mund të qëllojë që ata kanë të drejtë. Pra, ka shumë pyetje që lindin ndërsa Shqipëria dhe sistemi arsimit sot u gdhinë spec, pasi u ngrysën patëllxhan.Dua të di pse ky ndryshim?! Ky ndryshim është sjellë sepse sistemi i vjetër i aplikimit të lëndëve ishte: shumë i lodhshëm? Shumë i larmishëm? Shumë i vështirë për nxënësit apo për mësuesit? Ishte i dështuar? Nëse po, si? Nxënësit kishin perfomancë të ulët gjatë mësimit? Nuk arrinin të kryenin planin ditor të lëndës? Çanta e nxënësit është shumë e rëndë dhe kjo shkakton deformim të sistemit kockor? Po ky sistemi i ri, mos ndoshta është më lehtësues për fëmijët? Ndikon pozitivisht në kualitetin e të nxënit? Është më fleksibël për organizimin e orëve të mësimit? Është më lehtësues për prindërit ndërsa përfshihen në detyrat e shtëpisë me fëmijën? A është sistemi i ri më efektiv sesa ai i vjetri (që për çudi u kthye kaq shpejt “I vjetër”) në përmirësimin e procesit të edukimit?!T’ju them përgjigjen? Më të mirë që gjeta: NUK E DI!

Them se kjo do të ishte përgjigjja dhe e shumë prej prindërve apo mësueseve të cilët të habitur në këtë agim ndryshimesh, nuk patën kohë të reflektojnë më shumë se çdo të duhej në rastin më të mirë. Gjithmonë nëse interesi më i lartë është ai i fëmijës, i një procesi edukimi sa më dinjitoz për atë.

Le të supozojmë për një moment se ky ndryshim është për një proces edukimi më të mirë. Është shumë i nevojshëm dhe garanton (edhe pse apriori) efektivitet. Le të supozojmë se sistemi i vjetër nuk funksiononte si duhet. A do të mjaftonin 24 orë, për më keq akoma, 24 minuta për ta hedhur poshtë atë të vjetrin dhe të ngrihej një sistem i ri? Nëse do të ishim kaq rigoroz, madje skrupoloz në ngritjen e një sistemi sa më të mirë për fëmijët, a nuk do të mendonim se cila do të ishte mënyra më e drejtë dhe si rrjedhojë më e mirë për ta aplikuar atë? Cila do të ishte rruga më e denjë, më efektive që sot ne të kishim një përgjigje tjetër nga kjo që kemi?

Le ta pranojmë, kemi eksperimentuar, pa eksperimentuar realisht, te breza të tërë, duke hequr dhe shtuar nëpër kurrikulla, duke hequr dhe shtuar metoda, duke hequr dhe shtuar variete syresh, të cilat janë aplikuar gjerë në sistemin e edukimit, por duket se ndryshimet në fjalë kanë ardhur duke u mjaftuar me jehona dhe thashetheme alla “se kështu e ka dhe Europa”, pa u thelluar realisht se çfarë ka që nuk shkon dhe si do të duhet të ndryshojë.

Loading...

Dikur dëgjoja zërin e të ndjerit Ardian Klosi, me një abetare në dorë, mbronte idenë idealiste se pse nuk do të duhet të bëheshe pazar me këtë të fundit, por të vlerësoheshin cilësisht dhe profesionalisht se kush do të ishte abetarja e vocërrakëve nëpër shkolla. Por askush nuk ia dëgjoi zërin asokohe dhe sot askush nuk kujtohet për dëmet që kanë sjellë. Në asnjë rast ai nuk do të donte që të limitonte prurjet e metodave të reja, por do të duhet të ketë një ndërgjegje profesionale se si kjo të bëhet si DUHET, për të mos u ngrysur edhe një herë tjetër patëllxhan, e gdhirë spec.

Ndryshimet, përditësimet kërkojnë hulumtim të hollësishëm dhe aplikim me bazë shkencore për të kuptuar efektivitetin e tyre. Do të duhet të kemi përgatitjen dhe dinjitetin profesional dhe njerëzor të pranojmë qasje të cilat do të duhet të përtypen dhe adaptohen sipas kulturës sonë, dhe sigurisht të vinë në gjirin tonë si një eksperiencë e pasur dhe efektive e vendeve model, dhe jo kollofiten me një frymë.

Pra, e kush tha që nuk duam të jemi si Anglia, Franca, Gjermania, Hollanda, Suedia, ose minimumi t’i ngjasojmë atyre?! Si dreqi që duam. Por nëse do të duam të jemi si ata, do të duhet të sillemi si ata. Do të duhet të kemi këllqe të jemi të vërtetë dhe të ndërgjegjshëm dhe të hulumtojmë këto qasje. Kjo është e mundur! Ne sot mund të mos gdhiheshim spec, siç e kemi treguar fytyrën gjatë këtyre viteve që pasuan, por të ngremë klasa eksperimentale të mirëfillta në çdo shkollë, shoqëruar me grupe kontrolli të metodës së vjetër dhe jo vetëm, dhe të masim të dhënat brenda një afati kohor të kërkuar prej një studimi të mirëfilltë për t’u afirmuar si efektiv në natyrën e tij. Vetëm atëherë, ne mund të jemi të denjë përballë fëmijëve tanë, vetëm atëherë do të jemi të denjë përballë vendeve model, të cilat gjithashtu nuk duan që ne të “gllabërojmë” metodën e tyre pjesërisht, pa u thelluar mbi pasojat.

Ndoshta kjo metodë e re nuk na qëndron. ndoshta kjo mënyre e re i gjen mësuesit të papërgatitur për ta implementuar, sikundër një mësues sot në një prej portaleve sociale komentonte se do të ishte e vështirë dhe e lodhshme të shpjegoheshin dy tema brenda dy orësh. Po sikur këto dy orë të kenë një tjetër qëllim? Po sikur këto orë të jenë të kombinuara në atë mënyrë që fëmija të mund të gjejë motivimin për të mësuar, argëtuar dhe nxënë në mënyrën më të mirë të mundshme, brenda një dinamike të larmishme e kësisoj të pashoqë? Por a është në të vërtetë ky qëllimi? Siç e shihni mësuesi nuk arrin ta përkthejë, është i paqartë. Pra, mësuesi kërkon të di se si të plotësojë normën, ndërkohë që metodologjia e dy orarëshit, në vetvete, duket se kërkon të ndihmojë fëmijën që ai njëkohësisht të marrë informacionin dhe ta asimilojë në mënyrën më natyrale të mundshme brenda klasës. Dhe që kjo të ndodhë, do të duhet të kishte një përditësim dhe kujdes në trajnimin e mësueseve të cilët nuk meritojnë të stresohen në një rrugëtim të verbër, i cili duhet të ishte i bukur dhe motivues. Të mos çuditemi pastaj që mësuesit bëhen selektiv në procesin mësimor. Dhe të mos çuditemi që do të ketë fëmijë të cilët përfitojnë shumë pak gjatë procesit mësimor dhe në fund, të mos çuditemi që kemi prindër të pakënaqur.

Në përfundim, nëse më pyesin sot të interesuar a funksionon 2 orë një lëndë për fëmijët e vegjël, serish përgjigja ime është: NUK E DI!

I ftojë ata që guxuan duke e marrë të mirëqenë se kjo është një qasje më efektive se e vjetra, të më ndriçojnë që ta mësojë edhe unë për fëmijën tim, të cilin nuk e çojë dot në shkollë private dhe jashtë vendit, edhe sikur, ambicia ime është që sistemi i edukimit publik të jetë mjaft i mirë, sa të mos kemi fëmijë “ca të nënës dhe ca të njerkës,” por fëmijë që kanë mbaruar shkollën dhe konkurrojnë cilësisht të gjitha sistemet, privatë ose jo.

Nëse përgjigja juaj nuk mbart hulumtimin dhe argumentet shkencor, atëherë mos u mundoni. Frika ime është se dhe ju vet nuk e dini. Tashmë do të duhet me duru’ edhe një tjetër eksperiment vrastar, deri në ditën që një tjetër ide “brilante” do të trokasë verbërinë prej babëzisë suaj./Portali Shkollor

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.