Kërkesa për shkarkim nga Banka e Shqipërisë: Ja shkeljet e etikës që bëri Arben Malaj

Në kërkesën për shkarkim të firmosur nga 28 deputetë socialistë, Grupi Parlamentar i PS argumenton shkeljet e bëra nga Arben Malaj, duke mbajtur qëndrime politike.

Në një material prej 6 faqesh, dërguar Kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, thuhet se qëndrimet politike të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës kanë dëmtuar pavarësinë dhe integritetin e anëtarit të këtij Këshilli dhe vetë Bankës së Shqipërisë. “Daljet dhe prononcimet publike për tema thellësisht politike kanë qenë të shpeshta edhe gjatë periudhës zgjedhore për zgjedhjet lokale të datës 30 qershor.

 

Ky fakt përbën argument të shtuar për sjellje joetike, në konflikt të hapur me funksionin, me manualin e Monitorimit të miratuar me vendim Kuvendi dhe me standardet e vendosura të paktën në dy zgjedhjet e fundit”, thuhet në kërkesën e deputetëve socialistë për shkarkimin e Arben Malajt. Në argumentet e tyre, deputetët firmëtarë flasin për papërgjegjshmëri të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës në qëndrimet e tij përballë interesave të Bankës së Shqipërisë.

“Në asnjërin prej rasteve të daljeve publike të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës nuk është marrë parasysh karakteri publik i funksionit që ushtron si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të BSH dhe kjo natyrë sjellje nuk ka qenë dhe nuk i ka shërbyer aspak ruajtjes dhe nxitjes së besimit në publik lidhur me institucionin e BSH.

Në asnjërin prej rasteve të daljeve publike të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës nuk reflektohet përgjegjësi institucionale në raport me temat e trajtuara dhe qëndrimet publike të mbajtura për to dhe nuk referohet aspak niveli i nevojshëm i ndërgjegjshëm për rëndësinë e detyrave dhe të përgjegjësive si përfaqësues i organit më të lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, thuhet në kërkesën e deputetëve socialistë. Socialistët u japin përgjigje në kërkesën e tyre edhe pretendimeve se për çështjet etike duhet të shprehet Banka dhe jo Kuvendi i Shqipërisë.

“Kuvendi i ka kërkuar Këshillit Mbikëqyrës, në rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë për vitin 2018, që të analizojnë aktet e miratuara nga vetë Këshilli dhe të shprehen në lidhje me vendimmarrjen në Këshill ose individualisht. Por rezulton se Këshilli Mbikëqyrës i BSH refuzon pa asnjë justifikim të shqyrtojë ose të reagojë ndaj sjelljes joetike dhe në kundërshtim të hapur me rregullat e Kodit të sjelljes së miratuar nga vetë Këshilli Mbikëqyrës i BSH.

Në këto kushte, Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin të ndërmarrë kryesisht nismën për analizën e rastit dhe propozimin e masave përkatëse. Vendimmarrja e Kuvendit nuk prek parimin e ligjshmërisë, për sa kohë që në çdo rast, vendimmarrja e parashikuar në nenin 43 të Ligjit për Bankën e Shqipërisë i takon Kuvendit”, thuhet në kërkesën e deputetëve socialistë.

Sipas tyre, nëse nuk ndërhyn Këshilli Mbikëqyrës për shkelje të tilla, atëherë kompetencën e merr Kuvendi i Shqipërisë. “Ligji për propozimin e shkarkimit parashikon që kjo detyrë i takon shumicës së anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, por mund të arsyetohet që në zbatim të dispozitave të Kodit të procedurave administrative, kur një detyrë nuk zbatohet apo refuzohet të zbatohet nga zyrtari i ngarkuar nga ligji, atëherë kompetenca mund të ushtrohet drejtpërdrejt nga organi që ka detyrimin ligjor për të vendosur në lidhje me çështjen”, thuhet në kërkesën e deputetëve socialistë për shkarkimin e anëtarit të këshillit Mbikëqyrës të BSH, Arben Malajt./PANORAMA malajpanorama malaj faksimile

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.